Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të pamjeve dhe pretendimeve në rrjetet sociale se Banjat Termale të Bënjës janë betonizuar dhe se uji i tyre është tharë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë lajm si një manipulim, duke publikuar një video nga zona e Bënjës për të treguar gjendjen aktuale të banjave termale.
Sipas kryeministrit, gjatë 24 orëve të fundit është përhapur me shpejtësi një tjetër “alarm” në rrjetet sociale, i cili, sipas tij, është nxitur nga të njëjtat mekanizma që më herët kanë shpërndarë edhe pretendime të tjera lidhur me çështje mjedisore.
Rama deklaron se pas këtyre publikimeve qëndrojnë “duar të huaja” që, sipas tij, kanë ndikuar në përhapjen masive të përmbajtjeve në algoritmet e rrjeteve sociale.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër ‘raketë’ digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës”, shkruan kryeministri.
Ai shton se organizatorët e asaj që e quan “trazirë” po përpiqen ta kthejnë edhe çështjen e Bënjës në një konflikt të ri publik, duke manipuluar qytetarët që kanë shqetësime të sinqerta.
Sipas Ramës, në zonën e Bënjës nuk ka konflikte pronësie, shitblerje apo ndërhyrje private, por vetëm një projekt publik rigjenerimi urban që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët.
“Kush do të vërtetën e ka në këtë video, sot nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit”, shprehet Rama.
Debati mbi ndërhyrjet në zonën e Bënjës ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe aktivistë kanë ngritur shqetësime për ndikimin e punimeve në mjedis dhe në burimet termale, ndërsa qeveria këmbëngul se bëhet fjalë për një projekt zhvillimi dhe rehabilitimi të zonës.





