Detaje të reja kanë dalë në dritë nga megaoperacioni i SPAK kundër një prej organizatave më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, ku përfshihen emra të njohur të botës së krimit si Dritan Gjika, Eldi Dizdari dhe Salvatore Aliu.
Sipas dosjes hetimore, komunikimet e zbërthyera në platformën SKY ECC hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të grupit dhe sasitë e mëdha të drogës që trafikoheshin nga Amerika Latine drejt Europës.
Në një nga bisedat, Eldi Dizdari i kërkon furnizuesit Salvatore Aliu që çantat me kokainë të mos tejkalojnë 45-50 kilogramë, pasi personat që i transportonin nuk përballonin peshën.
“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bie të fikët kot. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”, thuhet në komunikimet e siguruara nga hetuesit.
Nga ana tjetër, Aliu i përgjigjet se do të përpiqet t’i mbajë ngarkesat rreth 50 kilogramë, duke shtuar se kjo situatë i jepte “adrenalinë”. Ai shpjegon se çantat bëheshin më të mëdha për shkak se pagesat në nisje llogariteshin sipas numrit të çantave të ngarkuara në kontejnerë.
Sipas SPAK, organizata kriminale ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në vende si Brazili, Ekuadori, Belgjika dhe Holanda, ndërsa dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë drejt tregjeve europiane.
Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të mëdha të trafikimit ndërkombëtar të drogës, ku janë sekuestruar afro 9 ton kokainë. Mes tyre përfshihet një ngarkesë prej 4.1 tonësh në portin e Roterdamit, mbi 2 ton në Ekuador si dhe sasi të tjera të konsiderueshme të sekuestruara në Belgjikë, Holandë dhe Kolumbi.
Sipas prokurorëve të posaçëm, fitimet e përfituara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, hotelerinë, pasuritë e paluajtshme dhe aktivitete të tjera tregtare, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre kriminale.
Në kuadër të operacionit, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin preventiv të 491 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.
Mes aseteve të vendosura nën sekuestro janë dhjetëra kompani, vila luksoze, apartamente, hotele, toka, automjete, mjete lundruese dhe 209 llogari bankare.
Pronat e sekuestruara ndodhen në Tiranë, Durrës, Gjirin e Lalzit, Himarë, Sarandë, Shkodër, Lezhë dhe zona të tjera të vendit.
Sipas vlerësimeve paraprake të SPAK, vlera e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet vijojnë për përcaktimin e vlerës së plotë të tyre.






