Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ka urdhëruar 14 masa sigurie në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuara të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Sipas të dhënave paraprake, hetimet lidhen me dokumentacionin e pronave dhe procedurat administrative të ndjekura në nivel lokal, ku dyshohet se janë kryer shkelje dhe manipulime të ndryshme.
Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masat e sigurisë është edhe Daniel Gjurraj, ish-kandidat i Partisë Socialiste në qarkun Dibër dhe ish-drejtor i Transporteve. Burime nga organet ligjzbatuese bëjnë me dije se ai aktualisht rezulton në kërkim.
Autoritetet po vijojnë veprimet për ekzekutimin e plotë të masave të sigurisë, ndërsa hetimet synojnë zbardhjen e rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë procedim penal.
Prokuroria nuk ka bërë ende publike detaje të mëtejshme mbi mekanizmin e dyshuar të falsifikimit, ndërsa çështja mbetet nën hetim dhe priten zhvillime të reja në ditët në vijim.






