Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja nga hetimi për zhdukjen e Eglant Koçi, i denoncuar si i humbur nga familjarët më 5 qershor.
Sipas informacioneve zyrtare, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime të forta se 34-vjeçari mund të jetë rrëmbyer dhe më pas vrarë, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur.
Në fokus të hetimit është vënë Armand Shaka, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Koçin. Policia e ka shpallur në kërkim dhe po vijon operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Gjatë hetimeve është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, ndërsa janë siguruar prova që kanë çuar në identifikimin e ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë para zhdukjes.
Sipas hetuesve, nga i njëjti ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili dyshohet se e ka transportuar më pas 34-vjeçarin me automjet. Policia ka kryer kontrolle të imtësishme në këtë objekt dhe në disa zona të tjera, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e Koçit.
Nga verifikimet ka rezultuar gjithashtu se motomjeti i viktimës është lëvizur nga vendi ku ishte parkuar fillimisht, veprim që dyshohet se është kryer për të fshehur gjurmët e ngjarjes.
Ndërkohë, automjeti që dyshohet se është përdorur për transportimin e 34-vjeçarit është lokalizuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij hetimi, policia ka arrestuar në flagrancë edhe Enea Zyferi. Ai dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes dhe akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Hetimet vijojnë intensivisht për gjetjen e Eglant Koçit, kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të një prej ngjarjeve më misterioze të ditëve të fundit në kryeqytet.






