Një 28-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Itali pas një grabitjeje në një lokal në Bolonja dhe një ndjekjeje të rrezikshme me policinë, e cila përfundoi me aksidente, dy efektivë të plagosur dhe kapjen e autorit.
Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal në rrugën Bentini, ku i riu hyri me fytyrën e mbuluar dhe grabiti paratë e arkës. Më pas ai përdori një mjet prerës për të hapur makinat e bixhozit dhe për të marrë shumën e parave që ndodhej në to.
Lëvizjet e tij u monitoruan në kohë reale nga kamerat e sigurisë së biznesit. Një punonjës i kompanisë private të ruajtjes njoftoi menjëherë policinë, e cila organizoi ndërhyrjen.
Hetimet paraprake tregojnë se shqiptari nuk ka vepruar i vetëm. Autoritetet dyshojnë se ai kishte një bashkëpunëtor, i cili arriti të largohej me vrap para mbërritjes së patrullave dhe aktualisht është në kërkim.
Pas grabitjes, 28-vjeçari u largua me një furgon të vjedhur. Falë sinjalit GPS të vendosur në sendet e marra, policia arriti të lokalizonte automjetin dhe të niste ndjekjen.
Momenti më i rrezikshëm ndodhi në rrugën Stendhal, ku i dyshuari refuzoi urdhrin për ndalim dhe nisi të lëvizte me shpejtësi të lartë, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke hyrë edhe në kahun e kundërt të qarkullimit.
Gjatë arratisjes ai përplasi një automjet policie, i cili humbi kontrollin, doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë. Dy efektivët që ndodheshin në mjet mbetën të plagosur lehtë dhe morën ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve, gjendja e tyre është jashtë rrezikut.
Pak minuta më vonë, edhe furgoni i drejtuar nga shqiptari doli nga rruga dhe u përplas me murin e një kompanie private. Edhe pas aksidentit ai tentoi të arratisej në këmbë, duke u fshehur mes automjeteve të parkuara, por u lokalizua dhe u arrestua nga policia.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti mjetin prerës të përdorur për hapjen e makinerive të bixhozit, pajisje të tjera për thyerje, arkën e lokalit me 75 euro brenda, si dhe një aparat për ndërrimin e monedhave.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se 28-vjeçari ka precedentë penalë për vepra kundër pasurisë. Ai akuzohet për vjedhje të rënduar, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe dëmtim prone, ndërsa është lënë në burg në pritje të vendimit të gjykatës.






