Sekuestro preventive për ndërtim pa leje “Hotel Oasis” në Sarandë, nën hetim pronari (EMRI)

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për një sipërfaqe ndërtimore të realizuar pa leje mbi tarracën e objektit ekzistues “Hotel Oasis”, në lagjen nr. 1 të Bashkisë Sarandë.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një strukturë me përmasa 22.9 metra x 13.4 metra x 3.5 metra, në pronësi të shtetasit Alqi Papës, i cili po hetohet për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm për qëllime fitimi” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 199/a/4 dhe 248 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 116 të vitit 2026, rezulton se mbi objektin ekzistues 6-katësh janë realizuar punime që përfshijnë ngritjen e strukturës metalike mbajtëse, mbulimin dhe soletën me llamarinë të valëzuar dhe shtresë betoni, ndarjen e ambienteve të brendshme, si dhe përfundimin e fasadës dhe vendosjen e vetratave.

Sipas organit të akuzës, këto punime kanë krijuar një volum të ri ndërtimor funksional mbi godinën ekzistuese.

Hetimet kanë evidentuar se veprimet ndërtimore janë kryer gradualisht, të paktën nga periudha para datës 12 maj 2025 deri më 31 mars 2026, kur gjatë inspektimit është konstatuar se objekti kishte arritur në një fazë të avancuar përfundimi, përfshirë fasadën e jashtme dhe vetratat në pjesën ballore.

Prokuroria sqaron se, megjithëse pasuria figuron e regjistruar si truall në certifikatën e pronësisë, nga vendimi i legalizimit rezulton se objekti ekzistues ka funksion social-ekonomik (shërbim). Për këtë arsye, edhe punimet e reja konsiderohen të lidhura funksionalisht me aktivitetin ekonomik dhe dyshohet se janë realizuar për qëllime fitimi.

Në përfundim, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Sarandës, gjykata ka vendosur masën “Sekuestro preventive”, sipas nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për sipërfaqen e dyshuar si të ndërtuar pa leje nga organet kompetente.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version