Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulim të shifrave lidhur me prokurimet publike dhe transparencën institucionale.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rama “ka mashtruar hapur” kur ka folur për përmirësime në sistemin e prokurimeve, duke pretenduar se të dhënat reale tregojnë të kundërtën.
Sipas tij, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka aplikuar sistemin dixhital të prokurimeve publike, për të cilin, siç tha ai, në vitin 2010 ka marrë vlerësim ndërkombëtar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore për transparencë.
Berisha u shpreh se në atë periudhë integriteti i prokurimeve vlerësohej rreth 80%, ndërsa sipas tij më pas ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur në rreth 66% në vitin 2026.
Ai e cilësoi këtë si një “rënie dramatike”, duke shtuar se pavarësisht zhvillimeve teknologjike, sistemi i prokurimeve nuk ka shënuar përmirësim, por përkeqësim.
Në deklaratë, kreu i opozitës theksoi se qeveria aktuale po paraqet një realitet të ndryshëm nga ai që, sipas tij, pasqyrohet në raportet dhe indikatorët zyrtarë ndërkombëtarë.






