Kosova ka marrë një shtytje të rëndësishme politike në synimin për anëtarësim në NATO, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën një rezolutë dypartiake në mbështetje të aspiratës së saj strategjike. Nisma është dorëzuar më 30 prill nga Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, duke rikthyer çështjen e Kosovës në qendër të debatit në Uashington.
Rezoluta i kërkon Shteteve të Bashkuara të nxisin katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën – Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën – që të ndryshojnë qëndrim, me qëllim hapjen e rrugës për integrimin euroatlantik të Prishtinës.
Ekspertja e sigurisë Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington e cilësoi këtë hap si një “sinjal të fortë politik”, duke theksuar se Kosova afrohet më shumë me NATO-n në aspektin strategjik, edhe pse pengesat formale mbeten.
Sipas saj, Ballkani Perëndimor po shihet gjithnjë e më shumë si një pikë e ndjeshme sigurie, sidomos në kohën kur tensionet rajonale janë shtuar dhe ndikimi rus vazhdon të jetë prezent përmes aleatëve të tij.
Reagimi nga Beogradi ka qenë i menjëhershëm. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kundërshtuar zhvillimin, duke vijuar qëndrimin tradicional të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Vuçiç së fundmi ka paralajmëruar edhe rritje të investimeve ushtarake, duke pretenduar se Serbia po përballet me kërcënime nga rajoni, pas marrëveshjes së bashkëpunimit në mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Aktualisht Kosova nuk ka bërë kërkesë formale për anëtarësim në NATO dhe nuk është pjesë e programit Partneriteti për Paqe. Megjithatë, rezoluta amerikane shihet si një hap i ri politik që mund të rrisë presionin diplomatik mbi aleancën dhe shtetet skeptike.
Në Kosovë shërbejnë rreth 590 trupa amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR, ndërsa SHBA konsiderohet mbështetësja kryesore e sigurisë së vendit.






