Një email i brendshëm i zyrtarëve të Pentagonit ka ngritur si hipotezë përjashtimin e Spanjës nga NATO, duke shtuar tensionet mes vendeve anëtare të aleancës.
Sipas raportimit të Reuters, ky diskutim lidhet me qëndrimin e qeverisë spanjolle, të drejtuar nga Pedro Sánchez, e cila ka kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake kundër Iranit, të mbështetur nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, në planin juridik, një përjashtim i tillë konsiderohet i pamundur. Traktati themelues i NATO-s, i nënshkruar në vitin 1949 në Uashington, nuk parashikon asnjë mekanizëm për përjashtimin e një shteti anëtar. Aleanca funksionon mbi bazë vullnetare dhe çdo vend mund të largohet vetëm me vendim të vetin dhe me njoftim paraprak.
Situata ka krijuar një klimë të tensionuar në Bruksel, ku ndodhet selia e NATO-s, ndërsa pritet me interes samiti i ardhshëm i aleancës në Ankara, më 6 dhe 7 korrik.
Sipas raportimeve, Donald Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj disa vendeve europiane për qëndrimet e tyre, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është përpjekur të zbusë situatën duke kërkuar verifikim të kontributeve të aleatëve në operacionet amerikane.
Në mbledhjet e fundit të Këshillit Atlantik, disa shtete anëtare janë distancuar nga ndërhyrja amerikane në Iran, me Spanjën ndër zërat më kritikë.
Nga ana e tij, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e ka minimizuar situatën, duke deklaruar se nuk ka arsye për shqetësim dhe se Madridi po përmbush të gjitha detyrimet ndaj aleancës.
“Pozicioni ynë është bashkëpunim i plotë me aleatët, por gjithmonë në përputhje me ligjin ndërkombëtar,” u shpreh ai, duke theksuar se qeveria spanjolle nuk komenton email-e, por vetëm dokumente zyrtare.
Ndërkohë, tensionet pritet të vijojnë në prag të samitit të Ankarasë, ku përplasjet mes SHBA-së dhe disa vendeve europiane mund të dalin edhe më hapur.






