Rama: Siguria ushqimore, sfida më e vështirë drejt BE – “Më tremb vetëm neglizhenca”

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sigurinë ushqimore si një nga sfidat më të vështira në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian, gjatë një takimi me operatorë të biznesit ushqimor.

Rama identifikoi dy sektorë problematikë ku kërkohet ndërhyrje urgjente: thertoret dhe zinxhiri i prodhimit të qumështit. Sipas tij, problemi më i madh në thertore mbetet ndarja dhe trajtimi i mbetjeve shtazore sipas standardeve të BE-së, duke paralajmëruar se mungesa e këtij procesi rrezikon jo vetëm eksportet, por edhe tregun vendas.

“Edhe thertoret më të mira sot nuk e kanë këtë proces. Nëse nuk plotësohet, nuk mbijetojnë në tregun e BE,” u shpreh Rama.

Sa i përket sektorit të qumështit, kryeministri theksoi se problemi nuk lidhet me mungesën e investimeve në teknologji, por me hallkat e paplota të zinxhirit të prodhimit, që sipas tij e bëjnë sektorin të paaftë për të përmbushur standardet europiane.

Ai nënvizoi se sfida kryesore nuk është koha apo aftësia e bizneseve, por “neglizhenca alla shqiptare”, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të pengojë integrimin.

Në fjalën e tij, Rama bëri të ditur se kontrollet shtetërore nuk do të kenë karakter ndëshkues, por do të shërbejnë si mbështetje për bizneset në përmbushjen e standardeve. Ai theksoi se qeveria do të jetë “krah për krah” me sipërmarrësit në këtë proces.

Një tjetër pikë e dobët e identifikuar nga kreu i qeverisë janë pikat e kontrollit kufitar. Rama deklaroi se ekziston një plan konkret për përmirësimin e kontrolleve, përfshirë akreditimin e laboratorëve dhe modernizimin e infrastrukturës.

“Pikat kufitare janë një hallkë e dobët, por kemi një plan për t’i përforcuar dhe për të rritur standardet e kontrollit,” tha ai.

Në përfundim, kryeministri bëri thirrje të drejtpërdrejtë për operatorët që të garantojnë produkte të sigurta për konsumatorët, duke theksuar se përmbushja e standardeve të BE-së është një mision i përbashkët mes shtetit dhe biznesit.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version