Në Samitin e Diasporës, kryeministri Edi Rama deklaroi se emri i Shqipërisë sot “thirret me nder”, duke theksuar se vendi është transformuar ndjeshëm në sytë e botës.
Sipas tij, Shqipëria nuk përfaqësohet më si një sinonim i negativitetit, por si një vend i natyrës, diellit dhe mikpritjes. “Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është kthyer në një sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve,” u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se diaspora shqiptare nuk është më në periferi të jetës kombëtare, por në qendër të saj, duke u bërë pjesë aktive e proceseve të zhvillimit dhe vendimmarrjes në vend.
Rama shtoi se Shqipëria është sot një “kantier transformimesh” që, sipas tij, fton diasporën të kontribuojë në investime, inovacion dhe jetën akademike, në kuadër të objektivit për integrimin europian deri në vitin 2030.
Ai kujtoi gjithashtu rrugëtimin e samiteve të diasporës, duke theksuar se nga kërkesa për të drejtën e votës nga jashtë, sot shqiptarët jashtë vendit e ushtrojnë këtë të drejtë dhe janë pjesë aktive e vendimmarrjes politike në Shqipëri.






