Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka mbyllur hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj lidhur me fraksionin e çështjes së inceneratorit të Elbasanit.
Sipas njoftimit, përmes avokatit të tij Ahmetajt i janë komunikuar tre akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie”.
Mbyllja e hetimeve është komunikuar edhe për disa persona të tjerë të përfshirë në këtë procedim, mes tyre bashkëjetuesja e Ahmetajt, Erjola Hoxha, ish-bashkëshortja Albina Mançka, si dhe shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meçemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Kjo dosje është veçuar si fraksion më vete nga procedimi kryesor për inceneratorin e Elbasanit dhe hetimet janë zhvilluar nga tre prokurorët e posaçëm: Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, është shpallur në kërkim nga SPAK që prej korrikut 2023, ndërsa organi i akuzës ka vendosur gjithashtu sekuestro mbi disa prona në emër të tij dhe të familjarëve.
Ndërkohë, Ahmetaj po përballet edhe me një tjetër proces në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me dosjen “Buka SH.A.”.






