Gonzato: Pa transparencë në financimin e partive, s’ka integrim në BE

Ambasadori i Bashkimi Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka lëshuar një mesazh të fortë nga tryeza për Reformën Zgjedhore, duke e vendosur theksin te mungesa e dialogut politik dhe problemet me transparencën e financimeve në zgjedhje.

Ai e cilësoi reformën zgjedhore si një çështje kyçe për Shqipërinë, duke paralajmëruar se pa rregulla të qarta dhe mbikëqyrje efektive mbi financimin e partive, procesi demokratik dhe vetë integrimi europian mbeten në pikëpyetje.

Sipas Gonzatos, kur burimet e financimit në fushata janë të paqarta dhe kontrolli institucional është i dobët, besimi i qytetarëve tek institucionet demokratike dëmtohet drejtpërdrejt.

“Reforma zgjedhore është një nevojë demokratike dhe është themeli i besimit në demokraci. Pa transparencë në financimin politik, ky besim nuk mund të ekzistojë. Kur burimet e financimit janë të paqarta, apo mbikëqyrja është e dobët, atëherë besimi te këto institucione demokratike është pashmangshmërisht i minuar”, u shpreh ai.

Diplomati europian theksoi se financimi politik është parakusht për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe se reforma zgjedhore, sidomos në aspektin e financimit të partive gjatë fushatave, mbetet përparësi vendimtare në kuadër të kornizës së integrimit.

Gonzato nënvizoi gjithashtu se rekomandimet aktuale nuk janë të reja, por mbështeten në vite monitorimi nga ODIHR, Komisioni i Venecias dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Mesazhi i ambasadorit shihet si një sinjal i qartë për politikën shqiptare se reforma zgjedhore nuk mund të mbetet retorikë, ndërsa çështja e financimeve të partive vazhdon të jetë një nga pikat më të debatuara dhe më pak të adresuara realisht.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version