Tentoi të grabiste bankën në Tiranë, biznesmeni i ndërtimit i zhytur në borxhe

Një sipërmarrës në fushën e ndërtimit dyshohet se ka tentuar të grabisë një bankë mesditën e kësaj të enjteje në zonën e ish-parkut të autobusëve, në Rrugën e Kavajës në Tiranë.

Sipas Policisë së Tiranës, rreth orës 11:15, shtetasi Bardhyl Fusha, 58 vjeç, ka hyrë në ambientet e bankës i armatosur me një armë automatike kallashnikov, me qëllim vjedhjen e një shume parash. Gjatë qëndrimit brenda, ai ka qëlluar me armë zjarri në dysheme, duke shkaktuar panik te punonjësit dhe klientët e pranishëm.

Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Dy efektivë të patrullës “Shqiponja” kanë ndërhyrë duke e neutralizuar dhe arrestuar 58-vjeçarin, pa u raportuar persona të lënduar.

Burime paraprake bëjnë me dije se Fusha është proceduar disa herë më parë pas denoncimeve nga klientë për mosshlyerje detyrimesh financiare. Dyshohet se ai ka pasur borxhe të konsiderueshme të pashlyera, çka mund të ketë qenë një nga motivet e ndërmarrjes së këtij akti.

Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version