Detaje të reja nga grabitja në Deliorgj/ Autori hyri me çantë me kallashnikov, qëlloi në tokë dhe mori rreth 20 mln lekë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tentativa e grabitjes së ndodhur pak çaste më parë në një bankë në zonën e Deliorgjit, në Rrugën e Kavajës.

Sipas burimeve, autori, Bardhyl Fusha, rreth 58 vjeç, ka hyrë në ambientet e bankës me një çantë të zezë, brenda së cilës kishte fshehur armën automatike. Sapo ka hyrë në bankë, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar një herë në tokë, duke shkaktuar panik te punonjësit dhe klientët.

Menjëherë më pas, ai është drejtuar te arka, ku ka arritur të marrë një shumë parash që, sipas deklarimeve paraprake të punonjësve të bankës, kap vlerën e rreth 2 milionë lekëve të reja.

Ka qenë një qytetar ai që ka njoftuar policinë, ndërsa patrulla ka qenë shumë pranë vendngjarjes. Brenda pak minutash, efektivët kanë mbërritur dhe e kanë kapur autorin teksa po dilte nga dera e bankës. Çanta iu sekuestrua në vend, ku brenda saj u gjetën paratë dhe arma e zjarrit.

Sipas informacioneve, në momentin e ndalimit autori ishte i armatosur me dy kallashnikovë dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Ai ndodhet i shoqëruar në Komisariatin Nr. 2, ku pritet të merret në pyetje.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shefi i Rendit i Komisariatit Nr. 2, Arben Bakalli, së bashku me dy punonjës të tjerë, rrethuan zonën dhe bënë të mundur neutralizimin e grabitësit.

Njoftimi paraprak i Policisë:

“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi Bardhyl Fusha, rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Autori është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit. Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin.”

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version