Kaos në rrugët e Prishtinës / Aksidenti degjeneron në sherr me grushta, pesë personave të plagosur

Një situatë e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, ku një aksident trafiku ka përfunduar në dhunë fizike mes pesë personave, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe kulturën e qarkullimit rrugor.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 18:00, pas përplasjes së automjeteve, të përfshirët në aksident kanë braktisur mjetet dhe janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm, duke ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi se pesë personat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Pas një aksidenti trafiku, pesë persona janë përfshirë në një përleshje fizike. Të gjithë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor,” deklaroi Pllana.

Ai shtoi se Njësia e Trafikut ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe konfliktit që pasoi.

Ngjarja ka shkaktuar tension dhe panik te qytetarët e zonës, ndërsa rasti rikthen në vëmendje degradimin e sjelljes në trafik dhe mungesën e vetëpërmbajtjes në hapësirat publike.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version