Tmerrohet familja në Durrës/ Sulm brutal, kemi frike të dalim dhe për të blerë bukë, autorët ende të lirë

Pak orë pas një incidenti të rëndë në lagjen nr.14, Nishtulla të Durrësit, ku një familje u sulmua brenda makinës, një nga të dëmtuarit ka rrëfyer tmerrin dhe panikun që kanë përjetuar.

“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. Nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!”, shprehet V. Meçani, e cila gjithashtu është sulmuar nga autorët, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Një tjetër person, 44-vjeçari A. Z., ndodhet nën procedim penal.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes, kur disa persona kanë goditur me forcë familjen Meçani. Sipas dëshmive, i pari që u sulmua ishte 55-vjeçari Fatmir Meçani, ndërsa më pas makina e familjes, e drejtuar nga vëllai Lulzimi, me bashkëshorten dhe kunatën e Fatmirit, u sulmua përsëri nga i njëjti grup.

Familja thotë se ndihet e kërcënuar dhe e pambrojtur, pasi autorët janë ende të lirë dhe nuk është hera e parë që dhunohen. “Kalova aty, u turrën me na gjujt. Ndaloi makina prapë tek shtëpia e vet, na shau… po na bën të zeza të mëdha. Pak minuta më parë u turrën të qëllonin nusen e turit. Çfarë të bëjmë tani, kur nuk merren masa?”, rrëfen gruaja e familjes.

Pas sulmit, katër persona kanë shkuar në polici për të bërë denoncimin, ndërsa motivet paraprake flasin për një konflikt të çastit dhe për motive të dobëta.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Durrës kanë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, në bashkëpunim. Në kërkim janë shpallur shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në të njëjtën lagje, ndërsa A. Z., 44 vjeç, ndodhet nën procedim penal.

Sipas policisë, rreth orës 17:30 të datës 30 janar 2026, pas një konflikti të çastit, sulmuesit kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, duke dëmtuar makinën “Ford Focus” të familjes, përfshirë xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit.

Familja Meçani kërkon drejtësi dhe mbrojtje, ndërsa banorët e zonës shprehin shqetësim për rritjen e dhunës dhe mungesën e masave parandaluese nga autoritetet.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version