Alarm për prindërit: Tërhiqet nga tregu qumështi Aptamil, dyshime për baktere

Një alarm serioz për sigurinë ushqimore është dhënë nga kompania Danone, e cila ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të një produkti qumështi pluhur Aptamil, si masë paraprake sigurie, pasi dyshohet se një nga seritë e prodhimit mund të përmbajë mikroorganizma ose baktere potencialisht të rrezikshme për shëndetin.

Produkti Aptamil, i cili përdoret gjerësisht për ushqimin e foshnjave, shitet edhe në tregun vendas. Pas njoftimit zyrtar të Danone, kompania Rossmann Lala ka reaguar duke bërë të ditur se ka tërhequr të gjithë produktin nga raftet e dyqaneve të saj në mbarë vendin, në respekt të masave të sigurisë dhe për mbrojtjen e konsumatorëve.

Në një sqarim publik, Rossmann Lala informon gjithashtu se çdo produkt i blerë më parë në rrjetin e dyqaneve të saj do të rimbursohet, pa asnjë procedurë shtesë për konsumatorët.

Sipas njoftimit të plotë, Danone sqaron se deri në këtë fazë nuk ka raportime zyrtare që konfirmojnë praninë e mikroorganizmave, por masa e tërheqjes është marrë në mënyrë parandaluese, deri në përfundimin e analizave finale laboratorike.

Kompania ka bërë publike edhe dy seritë e prodhimit për të cilat kërkohet ndalimi i menjëhershëm i shitjes dhe tërheqja nga tregu, ndërsa u bën thirrje konsumatorëve të verifikojnë me kujdes kodet e serisë së prodhimit të shënuara në paketim.

Ndërkohë, duke qenë se qumështi Aptamil shitet edhe në farmaci, markete dhe dyqane të tjera, mbetet e paqartë nëse të gjitha këto subjekte do të ndjekin të njëjtin standard transparence dhe bashkëpunimi, duke ofruar rimbursim dhe informim të qartë për qytetarët.

Deri në daljen e analizës përfundimtare, konsumatorët ftohen të mos e konsumojnë këtë produkt, ndërsa prindërit këshillohen të tregojnë kujdes maksimal, pasi bëhet fjalë për një produkt që përdoret nga grupmoshat më të ndjeshme.

 

Njoftim i rëndësishëm! Pse u tërhoq nga tregu qumështi


 

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version