Agron Gjekmarkaj jep dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të PD-së, pranon gabimin me firmën për Endri Shabanin

Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike kryetarit të saj, Sali Berisha. Sipas burimeve, Gjekmarkaj ka pranuar se firma e vendosur për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit ka qenë një gabim, duke e konsideruar këtë vendim si përgjegjësi personale.

Në këtë kuadër, ai i ka komunikuar Berishës vendimin për të dhënë dorëheqjen, duke theksuar se pranimi ose jo i saj mbetet në diskrecionin e kryetarit të PD-së.
“Vendimi për ta pranuar ose jo dorëheqjen mbetet në kompetencën tuaj”, mësohet të ketë deklaruar Gjekmarkaj, duke e cilësuar këtë hap si një akt kërkimfaljeje politike.

Zhvillimet vijnë në një moment tensionesh të forta brenda Partisë Demokratike, pas debateve të ashpra në Kryesi lidhur me çështjen e Avokatit të Popullit dhe vendimmarrjen e brendshme të partisë.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së PD-së, Bislim Ahmetaj, ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të Këshillit Kombëtar, ku sipas tij duhet të merret një vendim jo vetëm për dorëheqjen e Gjekmarkajt, por edhe për shkarkimin e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.

Situata sinjalizon një përshkallëzim të krizës së brendshme në Partinë Demokratike, në një moment delikat për opozitën.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version