Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, po raporton sot në Kuvendin e Shqipërisë për gjetjet e auditimeve të vitit 2025, duke hedhur dritë mbi mangësitë e theksuara në menaxhimin e fondeve publike dhe zbatimin e kontratave shtetërore.
Sipas Shehut, janë audituar 205 subjekte, përfshirë 97 njësi qendrore dhe 75 njësi vendore. Rezultatet tregojnë se shkeljet më të shpeshta janë evidentuar në nivelin vendor, ku procedurat e prokurimit kanë qenë të mangëta dhe shpesh në kundërshtim me ligjin.
Këto parregullsi kanë ndikuar negativisht në transparencën dhe efikasitetin e përdorimit të fondeve publike.
“Janë kryer disa auditime. Këto auditime janë kryer në 205 subjekte, prej të cilave 97 njësi qendrore dhe 75 njësi vendore. Janë identifikuar shkelje në prokurimet publike dhe zbatimin e kontratave. Auditimet kanë nxjerrë parregullsi në procedura, më të shpeshta në nivel vendor. Ka pasur kufizim të konkurrencës, ndërsa zbatimi i kontratave është bërë me vonesë. Janë kryer gjithashtu pagesa shtesë.”, tha ai.








