Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kurbini”, pjesë e planit të masave për kapjen e shtetasve në kërkim.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në Fushë Milot 28-vjeçari Hashim Lama, banues në Kurbin, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me 5 vjet e 4 muaj burgim.
Lama akuzohej si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në territorin e Kurbinit.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, pas informacioneve të siguruara mbi vendndodhjen e tij.
Materialet procedurale janë referuar në SPAK për veprime të mëtejshme ligjore.








