Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, e cila e cilësoi si “të papranueshme” deklaratën e tij ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në një prononcim për gazetarët, Berisha tha se nuk kishte asnjë qëllim fyes, por vetëm kishte përsëritur një deklaratë publike të bërë më herët nga vetë ambasadori.“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato ka bërë publikisht një deklaratë se ‘kam qenë i martuar dhe tani jetoj me një burrë’, unë e kam përmendur këtë pa asnjë qëllim fyes,” – tha Berisha.
Ai shtoi se është autori i ligjit që ndalon çdo formë diskriminimi, ndaj pretendimi për fyerje është, sipas tij, i pabazë.“Unë thashë që ai vetë ka qenë binar dhe ka ndryshuar mendje. Nuk bëra hetime për jetën e tij, e dëgjova dhe e përsërita. Nëse ai e konsideron fyerje, sigurisht që do ta rikonsideroj qëndrimin tim dhe i kërkoj ndjesë,” – deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës theksoi se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe se nuk përbën sulm ndaj ambasadorit apo ndaj vlerave të Bashkimit Europian.








