Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër lidhur me auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se pengon kontrollin e fondeve publike dhe i përdor institucionet për të fshehur pasuritë personale.

Sipas Berishës, auditimi i KLSH-së nuk lejohet për shkak të “interesave personale dhe financiare” të kryeministrit. Ai ka përmendur blerjen e një Benz-i të blinduar me vlerë 600 mijë euro, si dhe shpenzime të dyshimta të lidhura me vilat dhe pasuritë e Ramës.“Auditi nuk mund ta kontrollojë Ramën, sepse do i gjejë shishen Romanee Conti 33 mijë euro? Do t’i gjejë Benzin, ka blerë Benz të blinduar të ri për 600 mijë euro,” tha Berisha.

Reklame

Ish-kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, punonjësit e KLSH-së dhe të tjerë që guxojnë të kryejnë auditime për pushtetin politik, janë të kërcënuar dhe të terrorizuar.“Të mos harrojmë se kushtet në të cilat veprojnë janë jashtëzakonisht të vështira për shkak të presionit politik. Ata jo vetëm bllokohen, por terrorizohen dhe detyrohen të largohen nga detyra,” u shpreh Berisha.

Ai bëri thirrje edhe tek qytetarët, duke i ftuar të reagojnë dhe të mos presin pasivisht:“Dosjet janë sa mali i Dajtit. Heshtja juaj është shkatërrimtare, duhet të dalim në shesh dhe të përballemi,” tha Berisha, duke përmendur edhe dosjet e AKSHI-t, të cilat sipas tij tregojnë përdorimin e fondeve publike si “kopsht privat i Edi Ramës”.

Berisha i referohet gjithashtu disa rasteve konkrete të përdorimit të automjeteve zyrtare dhe fondet publike për interesat personale të Ramës, duke theksuar se pasuritë dhe veprimet e tij duhet të jenë objekt i auditimeve dhe transparencës.“Tuneli i Llogarasë është vepër e tij dhe tani po paraqitet si projekt me palën turke. Jo, është vjedhje e mirëfilltë,” përfundoi Berisha.

Reklame