Kokaina vijon të mbetet droga më e përdorur në Shqipëri, por statistikat tregojnë një ulje të ndjeshme të sasive të sekuestruara nga Policia e Shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në shtator të këtij viti, janë sekuestruar rreth 17 kilogramë kokainë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2024, policia kishte kapur mbi 60 kilogramë të kësaj lënde narkotike.

Reklame

Kokaina, e cila hyn në vend përmes rrugëve të importit, duket se këtë vit ka kaluar pa pengesa në kufi, pasi kapjet kufitare mungojnë pothuajse plotësisht. Burime nga uniformat blu pohojnë se shumica e sasive të sekuestruara janë gjetur brenda Tiranës, kryesisht gjatë goditjeve ndaj rrjeteve të vogla shpërndarësish, që furnizohen me pako prej një ose dy kilogramësh.

Ndërkohë, mungojnë operacionet për zbulimin e magazinave apo laboratorëve të përpunimit, që mund të jenë burimi i furnizimit për tregun vendas.

Dy rastet më të fundit të sekuestrimit të kokainës në Tiranë u regjistruan në muajt gusht dhe shtator.
Në njërin rast, policia sekuestroi mbi një kilogram kokainë gjatë një shkëmbimi mes dy shpërndarësve në zonën e Myslym Shyrit, ku u arrestuan katër persona të moshave 18–30 vjeç.
Në rastin tjetër, një 22-vjeçar u kap me gjysmë kilogrami kokainë, që e shpërndante në zonat e Ali Demit, Yzberishtit dhe Kasharit.

Megjithëse policia vijon operacionet kundër trafikut të drogës, rënia drastike e sasive të kapura ngre pyetje mbi efikasitetin e kontrolleve në kufij dhe goditjen e burimeve të mëdha të furnizimit.

Reklame