Policia e Vlorës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar (1 nëntor) në fshatin Gjorm, ku humbi jetën 36-vjeçari Dalan Alliaj.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së autorit të dyshuar, pas një konflikti për motive të dobëta. Gjatë debatit, 32-vjeçari Bertil Alliaj, kushëri i viktimës, dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në vend.

Reklame

Pas krimit, autori i dyshuar ishte larguar në zonën malore përreth, por pas kërkimeve intensive të Policisë dhe Prokurorisë, ai u lokalizua dhe u arrestua në flagrancë rreth orës 01:05 të mëngjesit.

Bertil Alliaj ishte i dënuar më parë në mungesë me 35 vite burg për ngjarjen e njohur si “Masakra e Çoles” në vitin 2015, ku mbetën të vrarë tre të rinj: Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.
Pavarësisht dënimit, ai nuk ishte arrestuar, derisa ngjarja e djeshme solli një tjetër tragjedi brenda të njëjtit fis.

Reklame