Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 71”, në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të mirëkoordinuara mes strukturave qendrore dhe vendore të Policisë, u lokalizua dhe u kap në Tiranë shtetasi Elvis Roshi., 32 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, një punonjës të IEVP Fier.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe katër shtetas që ndihmuan 32-vjeçarin të fshihej nga Policia:
-
Ermir Peqini 33 vjeç, banues në Tiranë
-
Dorian Cera, 34 vjeç, banues në Tiranë
-
Arbit Nure 29 vjeç, banues në Fier
-
Fabjan Muçaj, 26 vjeç, banues në Fier
Të arrestuarit do të përballen me akuzën “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga Kodi Penal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se do të vijojë me vendosmëri operacionet për kapjen e personave në kërkim dhe për goditjen e çdo forme kriminaliteti.








