Prej 24 orësh, në të gjithë vendin, strukturat e Policisë së Shtetit po vijojnë operacionin policor të koduar “Hapësirat publike”, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin e shtetasve që i kanë zaptuar për përfitime të paligjshme.

Në këtë operacion janë përfshirë strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorive Vendore të Policisë, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policitë Bashkiake përkatëse.

Reklame

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në të gjithë vendin, u evidentuan 133 raste të shfrytëzimit të kundërligjshëm të hapësirave publike/private, kryesisht për parkingje dhe lavazhe të paregjistruara në organet tatimore. Këto subjekte përfitonin të ardhura të fshehura, pa lëshuar kuponë tatimorë.

Rezultatet e operacionit:

  • Tiranë: 78 raste, 10 të arrestuar dhe 68 të proceduar;

  • Shkodër: 16 raste, 16 të proceduar;

  • Lezhë: 11 raste, 11 të proceduar;

  • Korçë: 6 raste, 6 të proceduar;

  • Fier & Lushnjë: 6 raste, 6 të proceduar;

  • Vlorë & Sarandë: 4 raste, 4 të proceduar;

  • Dibër: 4 raste, 4 të proceduar;

  • Elbasan: 3 raste, 3 të proceduar;

  • Berat: 2 raste, 2 të proceduar;

  • Durrës: 2 raste, 2 të proceduar;

  • Gjirokastër: 1 rast, 1 i proceduar.

Gjithashtu, u konstatuan 45 raste parkimesh të gabuara që pengonin lëvizjen e lirë të automjeteve, këmbësorëve dhe mjeteve të emergjencës (37 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Kukës dhe 1 në Durrës).
Po ashtu, u evidentuan 3 raste të punësimit të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit thekson se aksioni kundër pushtimit të hapësirave publike dhe informalitetit do të vijojë intensivisht në të gjitha qarqet e vendit.

📢 Apel për qytetarët:
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë hapësirat publike, të mos kryejnë veprime të paligjshme dhe të zbatojnë me rigorozitet normat e ligjit tatimor dhe të Kodit Rrugor.
Çdo veprim që bie në kundërshtim me ligjin do të ndëshkohet.

Gjithashtu, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 apo përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, duke kontribuar në rritjen e sigurisë publike dhe rendit në komunitet.

Reklame