Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lënë qelinë e paraburgimit në burgun e Durrësit dhe është nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, nën masa të rrepta sigurie të Policisë së Burgjeve.
Veliaj do të marrë pjesë në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00, dhe relatore do të jetë gjyqtarja Sonila Bejtja.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Gjykata Kushtetuese ka pranuar praninë e Veliajt në sallë, pas kërkesës së tij zyrtare për të qenë pjesë e shqyrtimit publik.
Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe SPAK-ut të marrin të gjitha masat e nevojshme për transportin dhe sigurinë e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej muajit shkurt, në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK, ndërsa prania e tij në këtë seancë është parë si një zhvillim me interes të lartë publik e politik.
🔹 Seanca në Gjykatën Kushtetuese do të jetë publike, ndërsa pritet interes i madh i mediave dhe qytetarëve.








