Pasditen e sotme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është parë të hyjë në ambientet e Kryeministrisë, vetëm pak orë pasi u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK.

Nuk dihet ende nëse Balluku ka shkuar për të zhvilluar ndonjë takim me kryeministrin Rama apo për të marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë, ku pritet të merret vendimi për ceremoninë shtetërore në nderim të Fatos Nanos, i cili u nda nga jeta sot në moshën 73-vjeçare.

Reklame

Më herët gjatë ditës, Balluku u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua akuza për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në lidhje me aferën e Tunelit të Llogarasë.

Zëvendëskryeministrja është përfaqësuar në këtë proces edhe nga motra e saj, Pamela Qirko, avokate dhe ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Hetimet për aferën e Tunelit të Llogarasë pritet të vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Balluku do të vijojë detyrën gjatë procesit gjyqësor.

Reklame