Në një fjalim të mbajtur në seancën parlamentare, kryetari i Kuvendi i Shqipërisë, Niko Peleshi, u ndal te dy ngjarje që sipas tij shfaqin thelbin e konfliktit politik aktual.
“Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallë. Nga ai moment dhe në vazhdim u shpërfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjetet sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet ç’lidhje ka kjo me procedurën e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit.
Do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.
Në fjalimin e tij, Peleshi theksoi se procesi i shkarkimit nuk lidhet thjesht me përplasje politike apo përkrahje nga një krah politik, por është një reflektim i thellë i tensioneve dhe kulturës së konflikteve që janë bërë pjesë e debatit parlamentar.
Ai shtoi se, sipas tij, një debat institucional duhet të udhëhiqet nga kultura parlamentare dhe nga përpjekja për bashkëpunim, jo nga aktet e përçarjes që “nuk heqin dorë” e që janë bërë pjesë e përditshmërisë parlamentare.








