Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas votimit në Kuvend, ku u rrëzua kërkesa e opozitës për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Në deklaratën e tij, Bardhi ka ironizuar Peleshin, duke thënë se ai mund të qëndrojë në detyrë “me votat e 79 memec-deputetëve”, por jo si përfaqësues i të gjithë Kuvendit.

Reklame

“Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve,” – shkruan Bardhi.

Sipas tij, Peleshi tashmë ka hyrë në historinë e parlamentarizmit si kryetar që përballet me kërkesë për shkarkim pa mbushur as një muaj në detyrë.

“U zgjodh me 85 vota dhe u mbajt në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë ‘arritje historike’ në vetëm një muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore,” – vijon reagimi i Bardhit.

Kujtojmë se sot Kuvendi rrëzoi me shumicë votash kërkesën e opozitës për shkarkimin e Niko Peleshit, ndërsa mazhoranca mbrojti ligjshmërinë e veprimeve të tij në drejtimin e seancave plenare.

Reklame