Në kuadër të operacionit policor të koduar “The Van”, gjatë të cilit u sekuestrua një arsenal armësh të trafikuara, hetuesit kanë zbuluar se mjeti i përdorur për transportin e armëve ishte një furgon i pajisur me logon e një kompanie ndërtimi dhe me elementë që imitonin sinjalistikën rrugore, me qëllim maskimin e veprimtarisë së paligjshme.
Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, shihet se në xhamin ansor të furgonit ndodhej logoja e kompanisë “Gener 2”, ndërsa në pjesën e sipërme të mjetit ishin vendosur disa pajisje të ngjashme me fenelina dhe shenja sinjalistike, të cilat krijonin përshtypjen e një mjeti pune në terren.
Ky kamuflim dyshohet se ishte menduar për të shmangur kontrollet dhe tërheqjen e vëmendjes, ndërkohë që në brendësi të mjetit u gjetën 23 armë zjarri, përfshirë 5 snajperë, silenciatorë, municion luftarak, pajisje për shpërthime në distancë, si dhe uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve dhe personat përgjegjës për trafikimin dhe fshehjen e tyre.








