Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi sistemin e drejtësisë për dështim të plotë, duke deklaruar se shqiptarët presin deri në 16 vite për një proces gjyqësor. Sipas tij, kjo vonesë ekstreme ka çuar në 643 raste vetëgjyqësie, 180 vrasje dhe 220 plagosje në vend.
“Qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë themelore për një proces të drejtë gjyqësor, por kjo e drejtë nuk ekziston. Në Shqipëri, Kushtetuta është bërë letër e vdekur,” – tha Berisha.
Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit, kreu i opozitës theksoi se situata e drejtësisë në vend është “dramatike” dhe e paprecedentë, duke e cilësuar si një “dhunim masiv të lirive dhe të drejtave të qytetarëve”.
“Sot, si në asnjë vend tjetër në botë, shqiptarët presin 16 vite për drejtësi. Dhe kjo ka sjellë vetëgjyqësi, vrasje, plagosje dhe qindra vepra të tjera penale. Drejtësia që vonon, është drejtësi që mungon,” – shtoi ai.
Berisha theksoi se mohimi i së drejtës për një proces të drejtë po e çon shoqërinë drejt shpërthimeve të dhunshme dhe humbjes së besimit te shteti, duke kujtuar edhe ngjarjet e fundit të ndodhura në sallat e gjyqeve.








