Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), sipas të cilit kryeministri Edi Rama nuk lejon inspektorët e KLSH-së të kryejnë auditime në institucionet e qeverisë.
Berisha e konsideron këtë situatë si një shkelje të rëndë të detyrës së shtetit dhe e cilëson si një formë të qeverisjes që ai e quan “narkoshtet”.“A mund të ndodhë në ndonjë vend të botës që kryeministri të mos pranojë auditin e shtetit? Të kujt i ka paratë ai që nuk pranon të auditohet, i ka të vetat apo të taksapaguesve? Kontrolli nuk është i qeverisë, është i shtetit dhe ka tagër të auditojë çdo institucion sipas programit,” – tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, auditimi i qeverisë do të zbulonte fonde të dyshimta dhe pasuri të konsiderueshme, duke përfshirë 22 milionë euro, valixhe diplomatike, shishe të shtrenjta verërash si Romanee Conti, dhe “gjëra monstruoze” që nuk janë publike.“Ai merr përsipër të refuzojë auditin, në një anë kërcënon prokurorin, në anën tjetër refuzon auditin e shtetit. Kjo është situata, ky është një narkoshtet në të cilin shteti ligjor nuk funksionon, është zëvendësuar me narkoshtetin,” – tha Berisha.
Reagimi i ish-kryeministrit vjen në kontekstin e debatit publik mbi pavarësinë e institucioneve të kontrollit dhe transparencën e fondeve publike në vend.








