Vijon bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Në kuadër të këtij operacioni, është finalizuar ekstradimi nga Milano, Itali, drejt Shqipërisë, i shtetasit Erind Laku, i cili akuzohet për koordinimin e pastrimit të parave të një grupi kriminal që vepronte në Durrës, me fitime të siguruara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe atyre të Interpol Romës, u përmbyll me sukses procedura e ekstradimit gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”.
Shtetasi Erind Laku kërkohej ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në prill të vitit 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.







