Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se në procesin gjyqësor të ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, “gjykata amerikane ka vendosur nën përgjim të plotë të gjithë qeverinë shqiptare”.

Berisha tha se emri i kryeministrit Rama është përmendur 13 herë në procesin gjyqësor në Uashington, dhe se “mediat amerikane kanë raportuar gjerësisht për përfshirjen e tij në këtë aferë”.

Reklame

“Më habit fakti se ju bëni të paditurin, sikur emri i Edi Ramës nuk është lakuar 13 herë. Është komentuar se Agron Neza i ka dhënë McGonigalit 220 mijë dollarë në emër të Edi Ramës për hetimin e opozitës,” – deklaroi Berisha.

Sipas tij, gjykata amerikane ka sanksionuar edhe disa episode të tjera që lidhen me McGonigalin, përfshirë “mbledhjen e pagesave për biznesmenë shqiptarë, përpjekje për të ndikuar në hetime, si dhe lidhje të drejtpërdrejta me persona me interesa financiare në vend.”

“Është deklaruar se Rama e ka pritur McGonigalin dhe i ka kërkuar veprime ndaj opozitës. Është sanksionuar se McGonigal ka krijuar shoqëri me disa persona në Shqipëri, dhe ka ndikuar në dhënien e licencave për kompani të lidhura me Agron Nezën,” – u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se “ky hetim është një detyrim ndaj drejtësisë amerikane dhe partnerëve ndërkombëtarë”, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet “të mbulojë me heshtje një aferë që ka përfshirë nivelet më të larta të pushtetit në Tiranë.”

“Ju mendoni se me deklarata boshe e betime të rreme mund të mbroni Edi Ramën nga këto që ka kryer. Por drejtësisë amerikane nuk i fshiheni dot,” – përfundoi Berisha.

Kryeministri Rama, nga ana e tij, ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje me ish-agjentin e FBI-së, duke e cilësuar çështjen “një manipulim politik të opozitës për qëllime propagandistike”.

Reklame