Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetja Jorida Tabaku, në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, theksuan se PD mbetet e palëkundur në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si aspiratë e qytetarëve shqiptarë.

Bardhi nënvizoi se Partia Demokratike kontribuon me vlera konkrete në këtë drejtim dhe jo me propagandë boshe:

Reklame

“Ne kemi qenë dhe mbetemi mbështetës të kësaj rruge. Por këtë nuk e bëjmë me propagandë, por me punë konkrete. Ne nuk e njohim qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit, por jemi në Parlament pikërisht për të punuar dhe për të mbështetur aspiratën e qytetarëve shqiptarë. BE dhe SHBA mbeten aleatët tanë strategjikë, dhe PD nuk bën ironi me Presidentin amerikan, por mbështet politikat e tij.”

Ai gjithashtu kritikoi mazhorancën për mungesë përkushtimi ndaj rrugës europiane, duke theksuar se Partia Socialiste ka vepruar ndryshe në të kaluarën.

Deputetja Jorida Tabaku shtoi se PD është promotore e integrimit, i cili mund të arrihet vetëm përmes përmbushjes reale të reformave, gjë që sipas saj qeveria aktuale nuk garanton.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit u mbyll me një deklaratë përfundimtare, për të cilën delegacioni i Partisë Demokratike nuk dha konsensus.

Reklame