Arsenali i armëve u trafikua nga Kosova, dyshohet se i përkasin një grupi me bazë në Tiranë, Laç e Burrel! Zbulohet edhe baza, Sino me precedentë penalë

23 armët e kapura në një furgon në Tiranë dyshohet se ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.

Reklame

Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit. I arrestuari Eugert Sino, rezulton me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme.

Policia e Tiranës ka sekuestruar një arsenal armësh, të cilët u kapën në një furgon që drejtohej nga 34-vjeçari Eugert Sino. Armët e zjarrit ishin të markave të ndryshme, ndërsa 5 janë snajperë dhe 1 silenciator. Disa prej armëve ishin futur në kuti, ndërsa u gjetën gjithashtu edhe 15 mijë fishekë, pajisje të ndryshme për shpërthime në distancë, gjurmim dhe bllokimin e valëve.

U sekuestruan: 
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Reklame