Një ngjarje e rëndë ka tronditur IEVP Shkodër, ku i paraburgosuri Brendon Ronald Saporito, 57 vjeç, është gjetur i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit.
Punonjësit e institucionit intervenuan menjëherë, duke e nxjerrë me puls dhe me shenja jete drejt urgjencës, ku stafi mjekësor i dha ndihmën e parë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit të Koplikut, Saporito nuk arriti të mbijetojë.
Brendon Ronald Saporito ishte arrestuar më 2 maj 2025 dhe sjellë në IEVP Shkodër më 4 maj, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, që i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dyshim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ngjarja është raportuar menjëherë autoriteteve kompetente. Drejtoria e IEVP Shkodër po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe hetimin e ngjarjes.








