Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka reaguar sot në Kuvend ndaj akuzave të ngritura nga deputeti Agron Shehaj, i cili kritikoi mënyrën e funksionimit të komisionit. Gjiknuri ka theksuar se të gjitha partitë janë të përfaqësuara në këtë komision dhe ka sqaruar se komisioni nuk ka mandat për ndryshime kushtetuese.
Ai ka bërë me dije se çështja e votës është irrelevante, pasi komisioni nuk ka një sistem të tillë votimi si në Parlamentin shqiptar. Sipas Gjiknurit, vota dhe veta e bashkëkryetarëve kanë po të njëjtin peshë, dhe kjo përfshin dy forcat më të mëdha politike.
“Të gjitha partitë janë të përfaqësuara në këtë komision, dhe çdo anëtar ka të njëjtat të drejta për të bërë propozime. Nuk ka parti që të mbetet jashtë procesit. Po ashtu, ky komision nuk ka mandat për të ndryshuar Kushtetutën, dhe të gjithë punën do ta bëjmë në mënyrë transparente, me monitorimin e ODIHR,” – tha ai.
Gjithashtu, Gjiknuri theksoi se partitë e vogla që ndihen të margjinalizuara, duhet të kuptojnë se janë gjithashtu një produkt i sistemit aktual dhe nuk mund të kërkojnë fajin te sistemi. Ai i bëri thirrje Shehajt dhe kolegëve të tij që të mos i japin në mënyrë të padrejtë sistemit zgjedhor, për t’i justifikuar dështimet e partive të vogla.
Gjiknuri përfundoi duke siguruar se punën e Komisionit do ta mbikëqyrë një proces i hapur dhe i balancuar, për të siguruar një reformë të qëndrueshme dhe përfshirëse për të gjithë aktorët politikë.








