Një tjetër rast neglizhence institucionale është bërë publik në Frakullën e Vogël, një njësi administrative në Bashkinë e Fierit, ku banorët janë detyruar të marrin situatën në duart e tyre për shkak të mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet vendore.

Në pamje dhe denoncime të dërguara në redaksinë e JOQ Albania, qytetarët tregojnë se kanë nisur vetë pastrimin e pusetave të kanalizimeve, pasi bashkia nuk ka reaguar pavarësisht ankesave të përsëritura.

Reklame

Sipas tyre, kanalizimet janë bllokuar prej kohësh, duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht gjatë reshjeve, kur uji i ndotur del në sipërfaqe dhe përhap erë të rëndë në zonë.

“Frakull e Vogël, qytetarët e marrin punën përsipër vetë. Kemi bërë ankesa disa herë në Bashkinë Fier, por jemi lodhur nga heshtja. Kjo është gjendja e pusetave të kanalizimeve,” – shkruan një banor në denoncimin e tij.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve, duke theksuar se situata po përkeqësohet dita-ditës dhe mund të sjellë pasoja të rënda shëndetësore.

Reklame