Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kritikoi ashpër opozitën, duke theksuar se ajo nuk po reflekton mbi nevojat e vendit dhe udhëhiqet nga interesat e Sali Berishës.
“Qytetarët me të drejtë dinë të bëjnë dallimin e madh, por opozita nuk ka reflektuar. Për fatin e keq të saj, ajo që ka mbetur nga PD udhëhiqet nga hallet e Sali Berishës”, tha Balla.
Ai shtoi se opozita ka harruar prioritetet e Shqipërisë dhe u përqendrua te fyerjet dhe sulmet personale, duke përmendur edhe raste të dyshuara për spiunim dhe manipulim të institucioneve në të kaluarën.
“Ne në PS nuk i referohemi asnjë dosjeje për interesa politike apo personale. Ndërsa opozita vazhdon të tregojë përkëdhelje ndaj liderëve të saj dhe sulme ndaj drejtësisë, ne mbështesim institucionet e pavarura dhe interesin e vendit,” tha Balla, duke u shprehur se edhe në të ardhmen do të vepronte njësoj ndaj rastit të Sali Berishës.








