Policia e Shtetit ka reaguar pas mesazhit elektronik që u është dërguar disa institucioneve në Shqipëri, me kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.

Sipas njoftimit zyrtar, nga verifikimet paraprake rezulton se emaili është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.

Reklame

Policia bën me dije se mënyra e dërgimit të këtij mesazhi ngjason me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.

Megjithatë, origjina e saktë e mesazhit dhe autenticiteti i kërcënimeve mbeten objekt verifikimi.

Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit, për të përcaktuar burimin e mesazhit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.

Më herët, raportimet për kërcënimin kanë bërë me dije se Gjykata dhe Prokuroria e Fierit janë evakuuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë.

Deri në përfundimin e verifikimeve, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse kërcënimi është real apo nëse bëhet fjalë për një mesazh të dërguar nga një adresë e komprometuar.

Lexo edhe

A po përdoret kërcënimi me bombë për të ndërtuar një narrativë politike? Dyshime për përfshirjen e Shërbimit Informativ

Email me kërcënime për bombë në Kryeministri, ministri dhe institucione drejtësie

Reklame