Në Tiranë është zhvilluar një konferencë kushtuar marrëdhënies mes sistemit të drejtësisë dhe medias, ku mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Takimi u fokusua te roli i magjistratëve të rinj, sfidat e sistemit të drejtësisë dhe rëndësia e zbatimit të standardeve evropiane në praktikën e përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Reklame

Gjatë fjalës së tij, Gonzato theksoi se procesi i integrimit evropian nuk lidhet vetëm me miratimin e ligjeve, por me mënyrën se si ato zbatohen në institucionet e drejtësisë.

“Standardet evropiane nuk arrihen vetëm me ligje, por me punën e përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ju do të jeni ata që siguroni zbatimin e ligjit në praktikë. Pavarësia nuk garantohet vetëm me ligj, por me sjellje profesionale çdo ditë”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian u bëri thirrje magjistratëve të rinj të ruajnë përulësinë në ushtrimin e detyrës dhe të shmangin qëndrimet arrogante apo të mbyllura.

“Parakushti i parë që ju mund të keni, mund të mos jetë ai i drejti. Duhet të dëgjoni gjithçka. Duhet të jeni të përulur, jo arrogantë”, tha Gonzato.

Ai nënvizoi se ndërsa Shqipëria vijon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, roli i magjistratëve bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për garantimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë konferencës u diskutua edhe për ndikimin e presioneve të jashtme mbi sistemin e drejtësisë, përfshirë mediat dhe rrjetet sociale.

U theksua se vendimmarrja duhet të mbështetet te ligji, faktet dhe argumentimi profesional, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët duhet të ruajnë pavarësinë e tyre përballë çdo ndikimi.

Sipas Gonzatos, asnjë reformë ligjore nuk mund të ketë sukses pa integritet profesional dhe etikë të qëndrueshme nga ana e njerëzve që zbatojnë ligjin.

Në konferencë u vlerësua gjithashtu roli i Shkollës së Magjistraturës, e cila u konsiderua një institucion kyç për përgatitjen dhe formimin e brezit të ri të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pjesëmarrësit theksuan se përgjegjësia e magjistratëve të rinj është e madhe, pasi ata pritet të kontribuojnë në forcimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia dhe në konsolidimin e reformave në sistem.

Reklame