Një operacion i Policisë së Fierit ka zbuluar një skemë të dyshuar të trafikimit dhe tregtimit të bizhuterive të vjedhura nga jashtë vendit, duke çuar në arrestimin e një 27-vjeçari dhe procedimin e disa administratorëve argjendarish.

Në pranga ka rënë Demirel Sinaj, 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, i cili dyshohet se siguronte bizhuteri ari dhe argjendi të vjedhura në Itali dhe Greqi, përfshirë edhe varëse me gurë diamanti, dhe më pas i shiste në argjendari të ndryshme në Fier dhe Lushnje.

Reklame

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme bizhuterish, ora të ndryshme, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, si dhe fishekë arme gjahu.

Sipas hetimeve paraprake, sendet e vjedhura futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe më pas hidhnin në treg përmes rrjetit të argjendarive.

Në kuadër të të njëjtit operacion është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij, një 45-vjeçar nga fshati Kraps i Fierit. Gjatë kontrollit në banesën e këtij të fundit u gjetën ora, bizhuteri të ndryshme dhe një shkop gome.

Ndërkohë, procedim penal në gjendje të lirë ka nisur për shtatë administratorë argjendarish, të cilët dyshohen se blinin sendet e vjedhura dhe i tregtonin në bizneset e tyre.

Personat nën hetim janë:

  • Dritan Hoxhaj
  • Enklev Gjergji
  • Mirlind Subashi
  • Agron Kulluri
  • Albiano Shahaj
  • Bujar Balla
  • Jurida Dashi

Sipas policisë, gjatë kontrolleve në argjendaritë dhe banesat e tyre janë gjetur mallra pa dokumentacion ligjor të origjinës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e sendeve të dyshuara si të vjedhura është sekuestruar.

Vlera paraprake e pasurisë së bllokuar llogaritet rreth 2 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Reklame