Një reagim i fortë dhe kritik ka ardhur nga Elisa Spiropali pas deklaratave të Edi Ramës për mundësinë e përjashtimeve në Partinë Socialiste.
Në një mesazh të gjatë me tone sfiduese, Spiropali i drejtohet kryeministrit me fjalët: “Më përjashto”, duke e cilësuar paralajmërimin publik si instrument kërcënimi dhe jo debat politik. Spiropali shprehet se debatet e brendshme nuk duhet të kthehen në “spektakël ndëshkimor publik”, ndërsa shton se problemi nuk është mospajtimi, por frika nga mospajtimi.
Reklame
“Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim”, shkruan ajo, duke theksuar se nëse kritikat e saj ndaj mënyrës së funksionimit të partisë, qeverisë dhe shtetit konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë është gati ta pranojë. Në reagimin e saj, Spiropali ngre akuza për një model që sipas saj po zëvendëson politikën me administrimin dhe po krijon një “drejtorokraci”, ku pushteti burokratik po merr vendin e përfaqësimit politik.
Ajo shton se nuk po mbron një post apo një kolltuk, por një parim, duke deklaruar se mospajtimi nuk është tradhti, por forma më e lartë e besnikërisë në politikë. “Nëse të kërkosh garë e meritë është faj, më përjashto. Nëse të kërkosh që pushteti të njohë vetëkufizim është herezi, më përjashto”, thekson Spiropali.
Mesazhi i saj shihet si një përplasje e hapur me drejtimin e PS-së dhe një sinjal i fortë për tensionet e brendshme në mazhorancë. Reagimi vjen në një moment delikat për socialistët, ku debatet për disiplinën dhe kontrollin brenda grupit parlamentar duket se kanë dalë hapur në sipërfaqe.
Mesazhi i Plote:
Më përjashto
Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik.
Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.
Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.
Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.
Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.
Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.
Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste.
Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.
Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.
Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.
Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike.
Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.
Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto.
Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.
Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto.
Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim.
Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë.
Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë.
Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat.
Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.
Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto.
Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër tësaj.
Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?
Këto nuk janë pyetje për fatin tim, të cilin e bëj vetë pa ndihmën e askujt. Janë pyetje për mënyrën si qeveriset.
Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës.
Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi.
Heshtja politike ka qenë gjithmonë paralajmërim i së keqes.
Jo rrallë, nuk tremb forca reale e kundërshtarit.
Tremb jehona që i bëhet frikës.
Shumë struktura kontrolli mbahen jo aq nga forca e tyre, sa nga përfytyrimi i rrejshëm që të tjerët kanë për forcën e tyre, për mekanizma që mbijetojnë nga frika që prodhojnë. Nëse nuk dakordësohemi as për kaq, më përjashto.
Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është 1, më përjashto.
Një media venezueliane ka publikuar foton e parë të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro, pas arrestimit të tij dhe të bashkëshortes nga forcat amerikane...
Të paktën 12 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së...