Një skandal financiar dhe institucional me përmasa miliona eurosh del në dritë nga raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që hedh dritë mbi mënyrën se si shteti shqiptar ka menaxhuar për vite me radhë përplasjet ligjore me Bankers Petroleum Albania, kompani aktualisht nën hetim për shmangie tatimore dhe evazion fiskal.
Sipas KLSH-së, Bankers i ka shkaktuar shtetit shqiptar humbje të mëdha financiare, jo vetëm përmes mospagesës së taksave, por edhe përmes arbitrazheve ndërkombëtare dhe proceseve gjyqësore të humbura, të cilat kanë sjellë kosto të drejtpërdrejta për buxhetin publik.
Raporti fokusohet kryesisht te çështja e vendburimit të Patos-Marinzës, për të cilën Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC) dha vendim më 7 qershor 2024 (ICC Case 21349/GR), pas një procesi që zgjati që nga viti 2015. Tribunali konstatoi se mbi 200 milionë dollarë shpenzime të deklaruara nga Bankers si të rikuperueshme nuk përmbushnin kriteret ligjore, duke detyruar kompaninë të korrigjojë deklaratat financiare për vitet 2012–2017.
Këto korrigjime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tatimin mbi fitimin, si dhe në auditimet e mëvonshme të AKBN-së për vitet pasuese. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, arbitrazhi ka detyruar palën shqiptare të paguajë 5.76 milionë dollarë shpenzime procedurale, një faturë e rëndë për taksapaguesit.
Një kërkesë për korrigjim dhe interpretim e paraqitur nga pala shqiptare në Zvicër në korrik 2024 u rrëzua në nëntor, duke e bërë detyrimin financiar përfundimtar dhe të pakthyeshëm. Vetëm në shkurt 2025, AKBN ka kërkuar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit në Gjykatën e Apelit në Tiranë – një vonesë që KLSH e cilëson të pajustifikuar dhe me risk financiar.
Raporti evidenton gjithashtu se deri tani shteti ka shpenzuar qindra mijëra dollarë, miliona euro dhe mijëra paund për tarifa gjyqësore, përfaqësim ligjor, ekspertiza, përkthime dhe logjistikë. Ndërkohë, një detyrim prej mbi 1.16 milionë dollarësh, i vendosur nga një vendim i ndërmjetëm arbitrazhi që në vitin 2018, nuk është likuiduar dhe as planifikuar deri në fund të vitit 2023, në shkelje të rregullave financiare.
Skandali nuk ndalet këtu. KLSH analizon edhe raste të tjera arbitrazhi të humbura nga shteti shqiptar, përfshirë çështjen ICC Case 22676/GR me kompaninë GBC, ku Shqipëria është detyruar të paguajë mbi 12.5 milionë dollarë dëmshpërblim, pa përfshirë interesat dhe kostot shtesë. Edhe për këtë rast, nuk ka pasur planifikim buxhetor deri në prill 2025, duke rritur barrën financiare për shtetin.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre alarmin për mungesë koordinimi, vonesa sistematike dhe menaxhim të dobët institucional, duke paralajmëruar se këto praktika po dëmtojnë rëndë financat publike dhe besueshmërinë e Shqipërisë në arbitrazhet ndërkombëtare.
Një histori ku shteti humbet miliona, institucionet vonohen dhe përgjegjësitë mbeten pa emër.














