Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, nga Shijaku, i cili u plagos rëndë me armë zjarri mbrëmjen e së martës, më 27 janar, në derën e banesës së tij. Çumani ka humbur jetën në spital, ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh në gjendje kritike.

Sipas të dhënave paraprake, autorë të dyshuar të ngjarjes janë dy kushërinjtë Dorian dhe Indrit Ferra. Mbrëmjen e sulmit, ata i janë paraqitur në banesë Çumanit, ku fillimisht e kanë dhunuar fizikisht dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej, duke i shkaktuar plagë shumë të rënda.

Reklame

Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka pasur si shkak një vajzë. Sipas policisë, Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, ndërkohë që ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën. Pak ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me Ferrën dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë kohës që ndodheshin aty, ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, gjë që është vënë re nga Ferra.

Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku janë drejtuar drejt banesës së Çumanit, ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë.

Dy kushërinjtë janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Reklame