Policia ka arrestuar një 31-vjeçar, banues në Kukës, i dyshuar për transportimin e emigrantëve të huaj kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e tyre të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, 31-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën e vjetër të Rinasit, teksa transportonte me automjetin e tij 6 emigrantë nga Egjipti. Dyshohet se destinacioni fillestar ishte Kukësi, për të vijuar më pas drejt Kosovës dhe shteteve të BE-së.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i një hetimi njëmujor të ndjekur me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan fazën e tretë të operacionit policor ‘Relay’,” – njofton policia.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi K. G., 31 vjeç, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.













